Content-Length: 44637 | pFad | https://sq.wiktionary.org/wiki/p%C3%ABrmbys

përmbys - Wiktionary Jump to content

përmbys

Nga Wiktionary

PËRMBYS kal.

  • 1. E kthej a e vë përmbys; e kthej me kokë poshtë, e kthej me këmbë përpjetë a me rrota përpjetë; e rrëzoj përtokë me forcë (zakonisht nga një vend i lartë). Përmbysi gotën (filxhanin, tenxheren, kusinë, arkën, thesin). Përmbysi tryezën (karrigen). Dallgët e përmbysin lundrën. Demonstruesit përmbysën veturat e kapitalistëve. Partizanët përmbysën një tren ushtarak të fashistëve.
  • 2. E shtrij dikë barkas; e rrëzoj me fytyrë përdhe.
  • 3. bujq. Kthej tokën, i bëj lërimin e parë; i hedh tokës plehun dhe e punoj. Përmbysën tokën (ugarin). Përmbysën plehun.
  • 4. fig. Bëj rrëmujë diku, s'lë gjë pa lëvizur nga vendi, e kthej gjithçka mbrapsht. E kontrolluan dhe ia përmbysën shtëpinë (dhomën). Ia përmbysën plaçkat.
  • 5. fig. E vendos diçka në një drejtim të kundërt me atë që ka pasur; e shpie fundin në fillim dhe fillimin në fund. Përmbys rendin e fjalëve në fjali.
  • 6. fig. E mund keqas dikë, e vë poshtë, e mposht. E përmbysëm armikun.
  • 7. fig. Bëj që të ndryshojë në mënyrë rrënjësore një gjendje, e ndryshoj që nga themelet; e sjell në një gjendje të kundërt a i jap një vlerë të kundërt në krahasim me të mëparshmen. E përmbysën situatën (gjendjen). I përmbysën marrëdhëniet e mëparshme.
  • 8. fig. Prish nga themelet diçka që ishte vendosur më parë; rrëzoj me luftë a me revolucion një rend të vjetruar, një klasë sunduese etj.; i heq fuqinë e pushtetin dikujt me dhunë; zhduk. Përmbysëm fashizmin (rendin feudo-borgjez, pushtetin e çifligarëve). Përmbysëm të vjetrën (zakonet prapanike, paragjykimet fetare).
  • 9. fig. Hedh poshtë me argumente e me fakte diçka që mbahej si e vërtetë, që mbizotëronte në mendjet e njerëzve deri në atë kohë, rrëzoj. Materializmi dialektik e historik përmbysi pikëpamjet idealiste mbi natyrën (mbi jetën, mbi shoqërinë). Përmbys një teori (një tezë) të vjetruar (të gabuar).
  • 10. thjeshtligj. Bëj qejf në një dasmë a në një gosti duke kënduar e duke vallëzuar me zhurmë. E përmbysën në dasmën e djalit.
  • Përmbys (pres, shkul) nga rrënjët (me rrënjë) shih te RRËNJ/Ë,~A I. Ha bukën e përmbys kupën shih te HA.


PËRMBYS ndajf.

  • 1. Me gjoks e me fytyrë poshtë, me kurriz lart e me bark përdhe, barkas. I shtrirë përmbys. Fle përmbys. U kthye përmbys. Ra përmbys sa gjatë gjerë.
  • 2. Me pjesën e sipërme të kthyer poshtë a nga ana ku mbështetej, me majën poshtë e me fundin lart, kokëposhtë, së prapthi. I vuri (i ktheu) gotat (enët, arkat) përmbys. E ktheu varkën përmbys.
  • 3. Duke qenë i kërrusur mbi diçka. Rri tërë ditën përmbys mbi libra.
  • E ktheu përmbys diçka
  • a) bëri rrëmujë të madhe diku;
  • b) e shkatërroi keq diçka, i solli dëme të mëdha diçkaje.








ApplySandwichStrip

pFad - (p)hone/(F)rame/(a)nonymizer/(d)eclutterfier!      Saves Data!


--- a PPN by Garber Painting Akron. With Image Size Reduction included!

Fetched URL: https://sq.wiktionary.org/wiki/p%C3%ABrmbys

Alternative Proxies:

Alternative Proxy

pFad Proxy

pFad v3 Proxy

pFad v4 Proxy