Ismet Jashari
Ismet Jashari (16 Prill 1967 – 25 Gusht 1998) i njohur si Komandant Kumanova, ishte një komandant dhe luftëtar i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Lindi më 16 Prill 1967 në fshatin Orizare të Komunës së Likovës, rajoni i Kumanovës në Maqedoni dhe ra dëshmorë më 25 Gusht 1998 gjatë luftimeve të ashpra me forcat serbe në Kleçkë të Kosovës. Pas rënies së tij, Brigada 121 e Zonës Operative të Pashtrikut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e mori emrin e tij. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ai u shpall Hero i Kosovës. Për ta nderuar emrin e tij, më vonë edhe Brigada 113 e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare u quajt Brigada 113 "Ismet Jashari", gjatë Luftës së vitit 2001 në Maqedoni.
Ismet Jashari | |
---|---|
Pseudonimi/et | "Komandant Kumanova" |
Lindur më | 16 Prill 1967 Orizare, Komuna e Likovës, ish–Jugosllavia, (sot Maqedonia e Veriut) |
Vdekur më | 25 Gusht 1998 Kleçkë, Komuna e Lipjanit, Kosovë |
Në aleancë me | Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) |
Vite shërbimi | 1997 – 1998 |
Grada | Komandant Ushtarak |
Njësia | Brigada 121 "Kumanova" (Kosovë) |
Në komandë | Zona Operative e Drenicës, Kosovë |
Betejat/luftrat | Lufta e Kosovës
|
Çmimet | Urdhëri Hero i Kosovës (pas vdekjes) |
Jeta e hershme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind më 16 prill 1967 në fshatin Orizare të Komunës së Likovës, rajoni i Kumanovës në Maqedoni. Shkollën fillore e kreu në vendlindje për ta vazhduar shkollimin e mesëm në Gjimnazin e Kumanovës. Si nxënës i shkollës së mesme, ai nis të merret me aktivitet patriotik dhe shpejt bie në sy të pushtetit të atëhershëm dhe përjashtohet nga shkolla, por Ismeti shkollimin do ta vazhdon në Gjimnazin "Skënderbeu" në Preshevë. Ka qenë nxënës i zellshëm dhe ka shfaqur interesim të veçantë për t’u pajisur me dituri. Derisa ishte nxënës, atij i bie në dorë shtypi ilegal i kohës. Në këtë kohë ai inkuadrohet edhe në radhët e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Gjatë kësaj kohe vazhdimisht përcillet nga organet e sigurimit shtetëror serb, për çka detyrohet që në gusht të vitit 1988 të emigron në Zvicër, ku vazhdon veprimtarinë e tij patriotike me shumë shokë të tjerë të idealit. Asokohe ishte në kontakt të vazhdueshëm me vëllezërit e tij, Muratin dhe Xhemajlin, si dhe me shumë shokë të tyre, të cilët zhvillonin aktivitet propagandues çlirimtar.
Të dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, Xhemajli dhe Murati, ishin arrestuar dhe dënuar nga regjimi komunist jugosllav, për shkak të përkrahjes së kërkesave të shqiptarëve në Kosovë, të shprehura në demonstratat e marsit dhe të prillit të vitit 1981.
Ismet Jashari i takon brezit militant atdhetar, i cili kurdoherë veproi në mbështetje të alternativës për të ju kundërvënë me forcë pushtuesit. Ai sëbashku me bashkëmendimtarët nuk e ndërpreu veprimtarinë e tij atdhetare në krijimin e kushteve për luftë të armatosur kundër pushtuesit të viseve të Shqipërisë Etnike.
Ismet Jashari ishte ndër të parët që mori pjesë në themelimin e fondit “Vendlindja thërret”. Ky fond u bë bazë kryesore e logjistikës dhe e financimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në diasporë, nëpër shumë tubime, demonstrata e ndeja nëpër oda Ismeti do të shprehet: "LIRIA E NJË POPULLI FITOHET VETËM DHE VETËM ME GJAK". Këtë dëshirë dhe ideal ai do ta bëjë realitet. U thotë lamtumirë të gjithëve me radhë: bashkëshortes, vajzave, farefisit, shokëve dhe miqve, të gjithëve që i donte dhe e donin duke iu përgjigjur thirrjes "ATDHEU NË RREZIK – VENDLINDJA THËRRET". Niset për në tokën arbërore dhe radhitet ndër të parët e luftëtarëve të lirisë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).
Me të ishin: Fatmir Limaj, Haxhi Shala, Xhevë e Fehmi Lladrovci e shumë e shumë patriotë të tjerë që nga diaspora do të vijnë të futen në zonat e okupuara të Drenicës legjendare, aty ku Komandanti Legjendar ADEM JASHARI e la amanet se: "KURRË KËTO TROJE NUK KANË QENË DHE NUK DO TË JENË SLLAVE, KANË QENË DHE DO TË JENË PËR MOTË E JETË TROJE SHQIPTARE".
Këta ishin trimat e lirisë që reflektonin shpresë dhe frymëzim për të gjithë ushtarët dhe popullatën civile. Ishin KUMANOVA, ÇELIKU e TOPI dhe shumë trima të tjerë të lirisë që shiheshin kudo në Kosovë, ata ishin në Likovc, Drenovc, Lladrovc, Kleçkë, Qafë Dulë, Malishevë, Jezerc e Llapushnik, ishin gjithëkund, ishin 1,2,3 u bënë shumë e më shumë. U bënë mijëra e mijëra trima që nuk kursyen më të shtrenjtën – Jetën e tyre për liri dhe atdhe. Komandant Kumanova ishte gjithkund, në flakë e barot, në mesin e shokëve, në mesin e popullatës ai ishte shok, ushtar dhe njëkohësisht komandant.
Lufta e Kosovës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ismet Jashari iu bashkua UÇK-së pas masakrës së Prekazit më 7 mars 1998. Më 11 mars, sëbashku me udhëheqës të tjerë të UÇK-së si Fehmi Lladrovci, Bekim Berisha dhe Fatmir Limaj, hynë në Luginën e Drenicës, ku UÇK-ja vepronte kundër Ushtrisë Jugosllave. Më vonë në atë muaj, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, caktoi Ismet Jasharin komandant në rajonin e Llaushës.
Në fund të marsit 1998, Ismet Jashari, së bashku me Fatmir Limajn, formuan njësinë "Çeliku", me seli në Kleçkë.
Në prill të vitit 1998, Ismet Jashari u zu në pritë nga forcat serbo–jugosllave në mes të fshatrave Volljakë dhe Çupevë, teksa po kthehej në Kleçkë nga drejtimi i operacioneve ushtarake në Klinë dhe Dukagjin. Ismet Jashari i mbijetoi sulmit, por u plagos në të dyja këmbët.
Më 9 maj 1998, Ismet Jashari, i cili ende nuk ishte shëruar plotësisht nga lëndimet që pësoi gjatë pritës, udhëhoqi forcat e tij në Llapushnik, ku mposhti ushtrinë dhe policinë serbo–jugosllave dhe pushtoi qytetin.
Pas pushtimit të Llapushnikut, Ismet Jashari udhëhoqi operacionet e mëtejshme kundër forcave jugosllave, duke i mposhtur ato në beteja të shumta dhe duke pushtuar vendet e rëndësishme strategjike të Qafës së Duhllës dhe Grykës së Carralevës.
Nga fillimi i majit deri në gusht 1998, Ismet Jashari përforcoi vendet strategjike në Drenicën jugore, Llapushnik dhe Qafën e Duhllës për një ofensivë të ardhshme jugosllave.
Më 14 qershor 1998, forcat serbo–jugosllave sulmuan dhe pushtuan Grykën e Carralevës dhe Qafën e Duhllës, të mbajtura nga forcat e Ismet Jasharit, tre ditë më vonë Ismet Jashari kundërsulmoi Ushtrinë Jugosllave, e cila po përgaditej të depërtonte drejt Luzhnicës. Ismet Jashari arriti të rimarrë Grykën e Carralevës, duke e detyruar Ushtrinë Jugosllave të tërhiqej në pozicionet e saj në Qafën e Duhllës. Në fund të qershorit 1998, Ismet Jashari dyzetoi pozitat e tij në Carralevë, Zborcë, Blinajë, Fushticë, Tërpezë, Bllacë dhe kudo në territoret që ishin nën kontrollin e UÇK-së në Drenicën jugore dhe në Llaushë.
Në gusht të vitit 1998, Ismet Jashari sulmoi dhe mposhti njësitet e Ushtrisë Jugosllave në disa raste, si në Shtëpinë e Pylltarit, Urën e Sahitit dhe në fshatin Belinc. Gjatë një ofensive të madhe jugosllave më 25 dhe 26 korrik 1998, forcat e Ismet Jasharit luftuan me Ushtrinë Jugosllave në Llapushnik, Zborc dhe Grykën e Carralevës, por nuk mundën t'i mbanin këto vende strategjike.
Më 23 gusht 1998, forcat serbo–jugosllave marshuan në drejtim të Kleçkës, ku ndodhej edhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, por u pritën nga forcat e Ismet Jasharit në Luzhnicë, të cilët ndaluan Ushtrinë Jugosllave të depërtonte drejt Kleçkës për një ditë të tërë, duke qenë në numër të madh. Më 24 gusht 1998, Ushtria Jugosllave kishte shtuar ofensivën e saj duke sulmuar forcat e Ismet Jasharit me topa të kalibrit të madh dhe raketa tokë-ajër, duke arritur përfundimisht të dëbojë UÇK-në nga Luzhnica dhe të pushtojë Kleçkën. Një ditë më vonë, më 25 gusht, Ismet Jashari kishte ndërmarrë një kundërsulm të befasishëm në përpjekje për të tërhequr trupat e ushtarëve të rënë. Pas disa orësh luftime të ngushta në Luzhnicë, Ismet Jashari ra heroikisht në betejë.
Në dhjetor të vitit 1998, bashkëluftëtarët e Ismet Jasharit-komandant Kumanovës, ndërmarrin një aksion në afërsi të fshatit Shirokë të Therandës (ish-Suharekë), nga ku arrijnë ti tërheqin trupat e 5 dëshmorëve, të cilët i varrosin me nderime ushtarake në Kleçkë. Këta trupa, forcat armike serbe i kishin dërguar në Shirokë, në përpjekje për tua humbur gjurmët.
Sot trupi i dëshmorit Ismet Jashari pushon në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë të Kosovës, ku pushojnë edhe trupat e 66 dëshmorëve të tjerë të UÇK-së, të cilët ishin pjesë e Brigadës 121 "Ismet Jashari-Kumanova".
Vdekja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 25 Gusht 1998 në një aksion të guximshëm duke luftuar ballë për ballë me Forcat Serbe, Ismet Jashari bie dëshmorë për të mbetur YLL I PASHUAR I LIRISË.
Liria është më e shtrenjtë se çdo gjë tjetër, dëshmorët janë të pavdekshëm, amaneti i tyre është shumë i fuqishëm.
Falë gjakut që derdhën Ismeti dhe mijëra dëshmorë e martirë të tjerë të kombit, sot Kosova gëzon pavarësinë si shteti më i ri në botë. ISMET JASHARI më 25 gusht 2009 shpallet Hero i Kosovës.
ISMET JASHARI e deshti më shumë lirinë se jetën, e deshti më shumë atdheun se veten, ai bëri shumë për të gjithë ne. Ne gjithmonë do ta nderojmë atë.
Trashëgimia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Dëshmori Ismet Jashari ka lënë pas bashkëshorten e tij të jetës Habiben, dhe 5 vajzat e tij Marigonën, Monikën, Donikën, Margaritën dhe Artanën. Rrugën e Ismetit e vazhdoi vëllai i tij i madh, Xhemajli, i cili gjatë luftës çlirimtare të vitit 2001 në Maqedoni ka kryer detyrën e shefit të mobilizimit në brigadën 113 të UÇK-së e cila u emërua me emrin Brigada 113 “Ismet Jashari – Kumanova”, që ka vepruar në rrethinën e Likovës dhe Kumanovës deri në mbarim të luftës.
Në nderim dhe respekt të heroizmit të treguar për çlirimin e Kosovës, pas rënies së tij, Brigada 121 e Zonës Operative të Pashtrikut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mori emrin “Ismet Jashari – Kumanova”. Për ta nderuar emrin e tij, më vonë, në verë të vitit 2001, edhe brigada 113 e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e cila ka vepruar në zonën e Kumanovës, ka marrë emrin e “Ismet Jasharit”
Në vitin 2011, u vendos shtatorja e heroit Ismet Jasharit në fshatin e tij të lindjes në Orizare, me urdhër të Komunës së Likovës.