mos
Appearance
MOS pj.
- 1. Përdoret zakonisht me folje të mënyrës urdhërore, lidhore e dëshirore, si dhe me trajta të pashtjelluara për t'u dhënë fjalive kuptim mohues ose për t'u dhënë fjalive mohuese nuancën e dëshirës, të urimit, të mallkimit, të qortimit, të këshillës, të kushtit, të ndalimit etj. Mos fillo! Mos kalo! Mos pi! Mos e bëj! Mos e thuaj! Mos u zini! Mos ha shumë! Mos bërtit! Mos u merr me thashetheme! Të mos e harrojmë! Të mos e lëmë punën e sotme për nesër! Të mos jetë më e vogël se një metër! Të mos largohen pa lejë! Do të mos vijë. Duke mos e nënvlerësuar. Duke mos e parë. Kurrë mos ardhtë ajo ditë! Në mos shkofshin të dy, le të niset njëri!
- 2. edhe MOSNI. Përdoret me vete me vlerën e një fjalie mohuese kur i drejtohemi dikujt për të parandaluar, për të ndërprerë a për të ndaluar një veprim. Mos, se do të biesh. Mos, se u thye. Mosni, bre burra, nuk bën kështu! Mosni ashtu (kështu)! - U vra Kajua! - Mos!
- 3. Përdoret, shpesh e shoqëruar dhe me pjesëza të tjera të dyshimit, në fjali pyetëse të drejta e të zhdrejta për të shprehur a për të përforcuar dyshimin, pasigurinë, shqetësimin, frikën etj. ose për ta nxitur a për ta detyruar dëgjuesin të përgjigjet. Mos nuk vjen vallë? Mos ndofta s'e di? Po sikur të mos jetë? Mos do të thuash të kundërtën? Mos nuk e bën dot? Kam frikë se mos vritet. Druaj mos i bëjnë gjë. Mendoja se mos më qortonin. Thashë mos më bënin sytë. Mos a mos! vërtet thua!, jo more!
- 4. Përdoret në fjali të pyetjes retorike për të pohuar diçka me forcë. Unë të mos e them? Ti të mos e bësh? Si të mos vijë?
- 5. Përdoret në fjali së bashku me pjesëzat mohuese s' ose nuk për të shprehur pohim të zbutur a miratim jo të prerë. Nuk mund të mos e bëj. S'është për të mos u thënë (për të mos u pranuar).
- 6. Përdoret në fjali të ndryshme së bashku me lidhëzën në, kur diçka paraqitet si më pak e mundshme, më pak e pranueshme etj. në krahasim me diçka tjetër që jepet si e sigurt, si e vërtetë, si plotësisht e mundshme a e pranueshme etj. Në mos shpejt, vonë do të ndodhë. Në mos të gjithë, disa prej tyre do të vijnë. Në mos sot (tani, këtu), nesër (pastaj, atje). Në mos me të mirë, me forcë. Është një ndër më të shquarit (më të fortët), në mos më i shquari (më i forti).
- 7. Përdoret, zakonisht e shoqëruar me pasthirrma, për të përforcuar ndjenjat e folësit ose kur shprehim çudi, mosbesim, tallje, përçmim, pakënaqësi, dëshpërim etj. Mos more, vërtet?! Mos moj, qenke e zgjuar! Se mos na tha ai!
- 8. Përdoret me vete ose së bashku me fjalë të tjera, midis trajtave të së njëjtës folje a midis foljesh të ndryshme, në togje të lira a të qëndrueshme me kuptime të ndryshme. Ishte (qe) mos na ishte (qe). Fol e mos fol. Hiq e mos e këput.
- Si mos përdoret para një emri ose midis trajtave të njëjta të një emri që përsëritet, me kuptimin «shumë i mirë, që s'e ka shokun» (p.sh. si mos burrë, vajzë si mos vajzë).
MOS- fjalëform.
Parashtesë, me të cilën formohen:
- a) emra e mbiemra me kuptim mohues ose të kundërt me atë që shprehet nga tema fjalëformuese e emrit a e mbiemrit foljor përgjegjës (p.sh. mosbesim, mosbindje, mosmarrëveshje etj.; mosmirënjohës, mospërfillës etj.);
- b) përemra e ndajfolje me kuptim mohues (p.sh. moskush, mosgjë, moskurrë etj.).